Vdekja e papritur e aktores së njohur turke, Ece İrtem, ka tronditur thellë familjen dhe fansat e saj, veçanërisht pasi ngjarja e rëndë ndodhi vetëm një ditë pas ditëlindjes së saj të 35-të. Sipas raportimeve fillestare nga mediat turke, aktorja ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare në shtëpinë e saj në Turqi, ku si shkak paraprak dyshohej një herë një infarkt.
Pas lajmit tragjik, në rrjetet sociale filluan të qarkullonin thashetheme nëse shkaku i vdekjes lidhej me ndonjë mbidozë apo konsum alkooli. Dyshimet u nxitën nga publikimi i një dëshmie të supozuar të nënës së aktores, Nuriye İrtem, dhënë për policinë. Sipas këtij raportimi të paverifikuar, nëna kishte treguar se ato kishin qenë në një festë ditëlindjeje pranë shtëpisë, kishin prerë tortën dhe ishin kthyer në banesë rreth orës 20:36, ku Ece kishte marrë ilaçet antidepresive përpara se të flinte.
Dëshmia e rreme që qarkulloi në media
Në deklaratën e pretenduar që pushtoi mediat, thuhej se nëna kishte deklaruar: “Kur hyra në dhomën e saj në mëngjes, pashë një lëng të dyshimtë që i dilte nga goja. Ajo kishte konsumuar shumë alkool dhe po përdorte gjithashtu antidepresivë të fortë”. Kjo bëri që publiku të aludonte menjëherë për një përzierje fatale të substancave, duke krijuar një valë të madhe thashethemesh mbi orët e fundit të jetës së aktores 35-vjeçare.
Reagon avokati: “Deklarata është e rreme, nëna është në shok”
Megjithatë, e vërteta që qëndron pas këtij pretendimi është krejt ndryshe. Avokati turk i familjes, ka përgënjeshtruar menjëherë lajmet, duke deklaruar se dëshmia që po qarkullon nuk pasqyron aspak të vërtetën. Ai sqaroi se pas vdekjes së aktores nëna e saj nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare për autoritetet hetimore, pasi ndodhet në gjendje të rëndë shoku dhe nën mbikëqyrje mjekësore. Avokati i bëri thirrje publikut të mos bazohet mbi këto thashetheme, ndërsa saktësoi se ende nuk ka një konfirmim zyrtar mjekoligjor për shkakun e saktë të vdekjes.




