Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Benita Zena, ka qenë mbrëmë e ftuar në eventin privat të organizuar nga Londrimi, për nder të lansimit të EP-së së tij të parë. Ky event bëri bashkë miq e bashkëpunëtorë të Londrimit, ku Benita tërhoqi vëmendjen me praninë e saj, duke treguar mbështetjen e madhe për ish-shokun e shtëpisë së BBVK.
Në këtë mbrëmje, Benita dha një intervistë ekskluzive për “Prive by Liberta Spahiu”, duke folur për herë të parë para kamerave muaj pas daljes së saj nga BBVK. E pyetur për vendimin e saj të fundit që bëri bujë në rrjetet sociale atë për heqjen e fillerave – ajo u shpreh plotësisht e hapur. Benita sqaroi se ishte ndier komode me këtë hap dhe e kishte parë të arsyeshme t’i largonte, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë ndikim nga njerëzit, por thjesht ka qenë dëshirë e saj. Madje, ajo shtoi me sportivitet se nëse në të ardhmen do të ketë sërish qejf t’i bëjë, do t’i bëjë pa problem.
Sa i përket marrëdhënies me Londrimin, Benita konfirmoi se shoqëria e pastër që filloi brenda formatit të BBVK po vazhdon me sukses edhe në jetën reale.
Përveç jetës së saj të përditshme, Benita zbuloi se është gati të rikthehet fuqishëm edhe në muzikë. Ajo njoftoi fansat e saj se shumë shpejt do të lansojë projektin e saj më të ri muzikor, i cili mban titullin “Bugatti 2”.
Në fund të intervistës, ish-banorja nuk i shpëtoi as pyetjeve për jetën e saj private, ku u tregua mjaft e prerë dhe e vendosur. Ajo deklaroi hapur se në jetën e saj nuk ka vend për kthim prapa.
“Ribashkim nuk ka. Benita çfarëdo që bën, nuk ribashkohet me kërkënd”, u shpreh ajo.
Me këtë deklaratë, Benita la të nënkuptohet qartë se historia e saj me Endrin ka përfunduar përfundimisht, duke mbyllur çdo mundësi thashethemeve dhe duke treguar se tashmë është e fokusuar totalisht te vetja dhe planet e saj për të ardhmen.





