Aktorja e “Portokallisë”, Albana Perhati, ka shpërthyer me një reagim të fortë në rrjetet sociale, duke kritikuar hapur mënyrën se si, sipas saj, funksionon sot vëmendja dhe suksesi në media.
Përmes një “story” në Instagram, ajo shprehet se profesionalizmi dhe puna e ndershme nuk marrin më vlerësimin që meritojnë, ndërsa në qendër të vëmendjes dalin skandalet dhe sjelljet ekstreme. Sipas saj, për të qenë i klikuar dhe viral, mjafton të krijosh zhurmë, të ofendosh apo të sillesh në mënyrë të papranueshme.
“Do të fus një skandal të bëhem virale, se nuk është gjë ky muhabet. 20 vjet profesionalisht korrekt, asgjë nuk nxorra në dritë”, shkruan ajo, duke lënë të kuptohet zhgënjimin për realitetin mediatik.
Albana shton më tej se me rritjen e shikueshmërisë rriten edhe përfitimet financiare, duke ironizuar faktin që skandalet shpërblehen më shumë sesa puna serioze. Në fund, ajo e mbyll me një ton të lodhur dhe kritik ndaj publikut: “Ç’punë kemi ne me bo art… Zot bone marë me këtë popull”.

Reagimi i saj ka ngjallur diskutime në rrjet, duke prekur një temë të ndjeshme për botën e showbiz-it dhe mënyrën si matet sot suksesi.




