Misteri i prishjes së miqësisë mes Einxhel Shkirës dhe grupit të saj të ngushtë – Argjira Spanca, Graciano Tagani dhe Fjoralba Ponari – është zbardhur përfundimisht.
Moderatorja ka folur për herë të parë hapur në programin “Mirëmbrëma Yje” të Arbana Osmanit, duke treguar arsyen që e çoi drejt këtij vendimi.
Einxhel rrëfeu se krisja ndodhi në një moment shumë të vështirë për të, kur pësoi aksidentin dhe theu këmbën, një ngjarje që në media u pasqyrua me nota dramatike. Ajo priste mbështetje nga miqtë e saj më të mirë, por sipas saj, ata nuk iu gjendën pranë në atë periudhë.
“Ndoshta edhe unë duhet të kuptoj që njerëzit jo gjithmonë do të jenë për mua dhe pranë meje kur kam nevojë”, u shpreh ajo me zhgënjim.
Einxhel theksoi se lajmet e asaj kohe e paraqitën situatën sikur jeta e saj ishte në rrezik, ndaj pritshmëritë për reagimin e tyre ishin të mëdha.
“Atë ditë dolën lajmet sikur jam në një aksident tragjik, sikur mund të vdes… Kur i do shumë dhe pret shumë nga njerëzit, ndodh edhe të zhgënjehesh”, tha ajo.
Moderatorja pranoi gjithashtu se vendimi për t’i hequr nga Instagrami mund të ketë qenë impulsiv, por ishte një reagim i sinqertë ndaj ndjenjave të saj në atë moment.
“Ndoshta ishte një veprim që e bëra në nxehje e sipër, në një moment thyerjeje, por nuk doja të shtiresha para njerëzve sikur gjithçka ishte mirë, kur brenda meje diçka ishte thyer”, përfundoi Einxhel, duke theksuar se nuk mund të mbante një fasadë miqësie kur ndihej e braktisur.




