Aktori i njohur Laert Vasili ka reaguar publikisht pas përjashtimit të tij të bujshëm nga roli i opinionistit në emisionin Për’puthen.
Kujtojmë se vendimi drastik i produksionit erdhi pasi ai puthi në buzë një konkurrente të programit, veprim i kryer kundër dëshirës së saj.
Gjatë një interviste të dhënë së fundmi, pamjet e së cilës po qarkullojnë gjerësisht në rrjet, Vasili ka zgjedhur të theksojë atë që ai e konsideron si një standard të dyfishtë.
Ai ka ironizuar drejtpërdrejt moderatoren e emisionit, Megi Pojani, të cilën gjatë fjalës së tij e etiketon me nofkën ironike “shoqja Lenka”.
Aktori theksoi se, ndonëse vetë vajza e përfshirë në incident e kishte pranuar faljen e tij, ishte moderatorja ajo që e bëri situatën të dukej edhe më e rëndë me qëndrimin e saj publik.
“Vajza tha: ‘Po, unë e pranoj ndjesën e Laertit’… shoqja Lenka mori pozicion dhe tha ‘ne distancohemi, promovojmë vlerat’. Pra unë qenkam një antivlerë, m’u duk vetja si plehrë,” – shprehet ai, i zhgënjyer nga ky reagim.
Por pjesa më thumbuese e deklaratës së tij ishte rikujtimi i një momenti të mëparshëm nga vetë moderatorja. Vasili i kujtoi Megit faktin që, pak kohë më parë, edhe ajo vetë kishte puthur një tjetër konkurrente femër në buzë brenda të njëjtit program dhe asokohe askush nuk e kishte bërë problem.
Ai theksoi me ironi se kur “shoqja Lenka” u puth me “shoqen Tefta”, çdo gjë u konsiderua normale dhe askush nuk doli të fliste për “vlera” apo ta gjykonte.





