Monika Kryemadhi ka folur hapur për herë të parë mbi përfshirjen e saj si opinioniste në Big Brother VIP, duke treguar se fillimisht e ka pritur me dyshim ftesën për t’u bërë pjesë e spektaklit.
Ajo u shpreh se, kur mori propozimin, mendoi se ishte një shaka. “Kur erdhi propozimi mendova se po tallej, i thashë: ik mos u tall me mua”, tha Kryemadhi, duke shtuar se ftesa i ishte dukur “me shumë drita, si një parajsë”.
Sipas saj, ishin familja dhe miqtë ata që e inkurajuan ta pranonte ofertën, me argumentin se publiku kishte nevojë të shihte “një Monikë ndryshe” nga ajo e politikës.
Kryemadhi vlerësoi ambientin në skenën e BBV-së, duke theksuar pozitivitetin dhe respektin që, sipas saj, i ka munguar gjatë viteve në politikë. “Respekti që ata ma japin mua më ka munguar gjithë jetën time. Në politikë s’më kanë thënë as faleminderit”,- u shpreh ajo.
Ajo rrëfeu gjithashtu se kalimi nga politika në spektakël ishte një kontrast i fortë: “Një njeri që ka ‘maune’ mbi kurriz, në dilema dhe udhëkryqe, papritur kalon nga një skenë e errët e politikës në një skenë me shumë drita, si një parajsë. Mendova se ishte testim, por ishte një realitet i vërtetë dhe një mundësi për mua.”





