Ka nisur në Paris java e modës luksoze me debutimin e markave të famshme Dior dhe Chanel. Në qendër të koleksioneve të reja janë motivet nga natyra.
Java e Modës së veshjeve luksoze në Paris nisi me debutimin e shumëpritur të stilistit Jonathan Anderson për Dior. Nën një kupolë lulesh, shtëpia e modës prezantoi një vizion botanik. Modelet parakaluan me fustane në formë këmbane, ku ngjyrat e ndezura të portokallisë dhe orkidetë e qëndisura mbi mëndafsh diktonin ritmin e sfilatës.
Vëmendja u zhvendos te detajet unike, vathë në formë lulesh shqiponje dhe çanta surrealiste që imitojnë natyrën. Anderson gërsheton mjeshtërinë e lartë me leshin dhe veshjet me thurje, duke kërkuar të rikthejë shkëlqimin e shitjeve për grupin ku bën pjesë, gjigantin Louis Vuitton.
Nga kopshti i Dior te pylli magjik i Chanel, stilisti Matthieu Blazy transformoi Grand Palais me kërpudha gjigante dhe pemë shelgu. Koleksioni i tij fokusohet te “lehtësia e padukshme”.
Spikasin xhaketat klasike Chanel të rikrijuara me pala të bollshme dhe pendë palloi, ndërsa fundet metalike argjendi e mbyllën sfilatën me një shkëlqim futurist. Dy mjeshtra të rinj, dy vizione të ndryshme, por një mesazh i përbashkët: moda luksoze e vitit 2026 është një arratisje drejt natyrës dhe fantazisë.





