Një ditë më parë artisti i Popullit dhe një ndër aktorët i cili ka skalitur me shkronja të arta emrin e tij, Reshat Arbana, festoi ditëlindjen e tij të 85-të.
Në këtë ditë të veçantë, ku miq të shumtë, kolegë të zemrës dhe familjarët i uruan shëndet dhe jetë sa më të gjatë, Arbana ndau një mesazh domethënës për të gjithë.
Ai kërkoi të jetojmë të sotmen, të duam njëri-tjetrin dhe të jemi falenderues për gjithçka që kemi, pasi e nesërmja nuk i dihet si mund të jetë. Pavarësisht problemeve, zënkave që mund të na përballen për fytyre, aktori kërkoi dashuri, mirëkuptim dhe mirësi.
“Jeta qenka si tre ditët, e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja. Të djeshmen e kaluam me të mirat dhe të këqijat e saj. Sot, Fuqiploti na dha mundësi të gëzojmë një ditë tjetër. E nesërmja… nuk dihet. Nuk dihet dhe nuk e ka në dorë askush nga ne. Sot, mund të jetë dita e fundit që shohim miqtë dhe shokët, prandaj le ta bëjmë sot atë që duhet të bëjmë, mos ta lemë për nesër, të kërkojmë një të falur, të themi sa më shumë falenderime dhe ta duam më shumë njëri-tjetrin. Të flasim gjëra të bukura, ta duam, ta dashurojmë njëri-tjetrin. Do zihemi ndonjëherë, por do pajtohemi nesër, do pimë një gotë raki…”, tha Arbana përballë miqve, kolegëve dhe familjarëve të tij.
Ndërkohë që më tej shprehu dhe pengun që i bren shpirtin, atë që ai e quajti “pishmanllëk”. Dëshshira e artisti është një Shqipëri demokratike.
“Ky ishte stacioni im i 85-të. Unë nuk di në arrij dot ndonjë stacion tjetër, po në iksha nga kjo botë, koka do të mbetet pas dhe në zemër do të kem pishmanllëkun e madh dhe dëshirën e madhe të shoh në këtë Shqipërinë time të dashur demokracinë e vërtetë.
Ta duam më shumë njëri-tjetrin, të mos luftojmë njëri-tjetrin, të mos kacafytemi, mos të vritemi, mos të shahemi, se kjo Shqipëri e bukur po na lihet e bukur, por kam frikë se një ditë… uroj nuk ndodh gjë. Jeta është e shkurtër, lum ai që e kaloi me gojë të ëmbël dhe zemër të bardhë”, tha ai më tej.





