Në TikTok ka një trend ku supozohet se nëse para gjumit vendos maska dhe ngjitës në buzë, zgjohesh me lëkurë më të freskët. Tani Kim Kardashian ka arritur në një tjetër nivel: ajo ka prezantuar një produkt të ri nga kompania e saj, Skims, që është një maskë e cila supozohet t’i japë formë nofullës ndërsa ti fle.
Maska 48-dollarëshe u shit brenda 24 orësh dhe premton se konturon fytyrën në mënyrë jo-invazive. Por në rrjet ka përçarje: disa thonë se është një zhvillim inovativ, kurse të tjerë e kritikojnë se po promovon standardet e pavërteta të bukurisë dhe rrit pasigurinë te gratë.
Fashot e fytyrës nuk janë shpikje e re dhe përdoren pas ndërhyrjeve. Por Skims e ka sjellë në përdorimin e përditshëm duke shënjestruar brezat e rinj. Në TikTok, përdoruesit bëjnë disa trende bashkë si fashot e fytyrës, gua sha dhe ngjitësi në buzë për t’u zgjuar me lëkurë të përsosur. Këto metoda marketingu tërheqin gjeneratën Z dhe “millenials” që ndjekin influencerët e bukurisë dhe trendet e rrjeteve sociale.

Mjekët thonë se fashot e fytyrës sjellin vetëm përfitime të përkohshme. Anna Andrienko, mjeke estetike, thotë se efektet e konturimit të fytyrës ose shfryrjes së saj janë afatshkurtra dhe ndodhin për shkak të presionit ose nxehtësisë, jo konturimit që zgjat. Gjithashtu mund të shkaktojnë irritime në lëkurë ose në qarkullimin e gjakut nëse shtrëngohen fort apo për një periudhë të gjatë kohe. Pohimet se përmbajnë fije kolagjeni për të ndihmuar elasticitetin e lëkurës nuk mbështeten nga shkenca.
Përveç shqetësimeve mjekësore, kritikët shqetësohen për ndikimin në shëndetin mendor dhe imazhin trupor. Porter thotë se nxjerrja në pah e tipareve si nofulla duke përdorur fashot, dërgon mesazhe të dëmshme se veçoritë e fytyrës kanë defekte dhe duhen rregulluar. Kjo gërryen vetëvlerësimin, sidomos te konsumatorët e rinj.

Aktivistja Michelle Elman shprehet se shumë blerës mund të besojnë që do të duken si Kim Kardashian vetëm falë këtij produkti. Ajo thekson se pamja e themelueses së Skims vjen nga duart e profesionistëve, jo zgjidhjeve të shpejta.
Në fund, Porter këshillon se trendet e kujdesit të lëkurës që i japin prioritet dukjes dhe jo shkencës, duhen parë me skepticizëm. Shumë rituale paraqiten se ndihmojnë mirëqenien, por nuk kanë studime shkencore nga pas dhe mund të jenë të rrezikshme. Duke qenë se produktet kozmetike shpesh gjenden në zonën gri, marketingu mbështetet te ”fjala gojë më gojë” dhe influencerët sesa rezultatet e provuara. Janë konsumatorët ata që duhet të shohin përtej premtimeve të mëdha dhe të kërkojnë informacione të sakta për të bërë zgjedhje me mend.





