Wednesday, May 20, 2026
spot_imgspot_img
spot_img

Related Posts

Si ndikon nxehtësia e verës në gjumin e grave shtatzëna dhe si mund të përballohet

Netët e verës shpesh mund të jenë të vështira për t’u përballuar për shkak të temperaturave të larta. Është e vështirë të biesh në gjumë, pushimi nuk është i qetë dhe zgjimi në mëngjes mund të jetë shumë i lodhshëm. Situata komplikohet edhe më shumë gjatë shtatzënisë, kur shtimi i barkut krijon shqetësime fizike. Por, insomnia verore gjatë shtatzënisë nuk vjen vetëm nga nxehtësia dhe barku i madh, por edhe faktorë fiziologjikë dhe hormonalë që lidhen me këtë periudhë e bëjnë gjumin më të vështirë.

Cilat janë ndikimet kryesore për shëndetin e gruas dhe foshnjës? A ka mënyra për të përmirësuar gjumin? Këto pyetje ia drejtuan Marco Grassi, gjinekolog në spitalin C. e G. Mazzoni në Ascoli Piceno.

“Gratë shtatzëna janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta për shkak të aftësisë së reduktuar të organizmit për termoregulim, që lidhet me ndryshimet fiziologjike gjatë shtatzënisë. Gjatë kësaj periudhe ndodh një zgjerim i ndjeshëm i vëllimit të gjakut, me ulje të rezistencës së enëve të gjakut dhe rritje të frekuencës së zemrës. Këto ndryshime, së bashku me ndryshimet hormonale që rrisin temperaturën e trupit, bëjnë që gratë shtatzëna të jenë më të ndjeshme ndaj nxehtësisë,” shpjegon ai.

Gjithashtu, shtimi i peshës dhe rritja e mitrës shtypin enët e gjakut në zonën e barkut dhe legenit, duke vështirësuar kthimin venoz dhe duke bërë më të vështirë gjetjen e një pozicioni të rehatshëm për gjumë, sidomos gjatë orëve të nxehta. Kjo shkakton shqetësim, zgjime të shpeshta gjatë natës dhe ulje të cilësisë së gjumit.

A janë temperaturat e larta, si gjatë valëve të nxehtësisë, të rrezikshme për nënat shtatzëna? “Ato favorizojnë dehidratimin, që stimulon prodhimin e vazopresinës, një hormon që mund të shkaktojë kontraksione të parakohshme të mitrës dhe nëse ato janë të shpeshta dhe të vazhdueshme, mund të rrisin rrezikun për lindje të parakohshme,” vijon gjinekologu. “Temperatura trupore mbi 39°C mund të shkaktojë goditje nga nxehtësia, lodhje ekstreme dhe krampa muskulare, që jo vetëm prishin pushimin e natës, por rrezikojnë seriozisht shëndetin e gruas dhe të fetusit.”

Këshilla praktike për gratë shtatzëna gjatë verës

Nxehtësia e verës përbën një sfidë të madhe për gratë shtatzëna. “Me kujdesin e duhur dhe njohjen e sinjaleve paralajmëruese, mund të reduktohen shqetësimet dhe të ruhet mirëqenia e nënës dhe e fetusit,” thotë eksperti, duke sugjeruar disa këshilla të thjeshta për të kaluar verën në shëndet të mirë:

Hidratimi: Është e rëndësishme të pihen të paktën dy litra ujë në ditë dhe të evitohen pijet shumë të ftohta, alkooli, pijet me sheqer, çaji dhe kafeja. Preferohen ushqimet e lehta, të pasura me fruta dhe perime të freskëta. Duhet gjithashtu kujdes për ruajtjen e duhur të ushqimit, sidomos gjatë shtatzënisë dhe muajve të nxehtë.

Ambientet e freskëta: Mbyllni dritaret që bien në diell me perde ose roleta dhe hapini vetëm në orët më të freskëta, si në mëngjes herët ose në mbrëmje. Qëndroni në dhomën më të freskët gjatë pjesës më të nxehtë të ditës. Përdorni kondicionerin në temperaturë midis 24 dhe 26 gradë, duke shmangur përdorimin e pajisjeve elektrike që nxjerrin nxehtësi.

Kufizoni daljet gjatë orëve më të nxehta: Zgjidhni orët më të freskëta për të dalë jashtë dhe shmangni vendet e mbipopulluara. Përdorni krem mbrojtës me faktor të lartë, sidomos në fytyrë.

Freskoni trupin: Banjot ose dushi me ujë të vakët, lagja e fytyrës dhe duarve me ujë të freskët gjatë ditës, dhe veshja me rroba të lehta dhe të rehatshme ndihmojnë në largimin e nxehtësisë.

Pozicioni për gjumë: Preferohet të flini në anën e majtë, me një jastëk mes gjunjëve ose poshtë barkut, për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për të ulur presionin mbi venat. Kjo ndihmon në parandalimin e ënjtjeve dhe favorizon një gjumë më të qetë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Popular Articles