Kjo është pyetja që ka ngjallur debat të madh pasi Amazon ka marrë të drejtat kreative mbi filmat e James Bond. Vetë themeluesi i kompanisë, Jeff Bezos, e ngriti këtë pyetje në rrjetin social X, duke i ftuar ndjekësit të sugjeronin emrin e tyre të preferuar për këtë rol legjendar. Nëse bazojmë në përgjigjet e përdoruesve në rrjetet sociale, Henry Cavill duket të jetë zgjedhja më e pëlqyer. Ish-ylli i Superman, i cili ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur Bond, ishte kandidat serioz edhe në audicionet për “Casino Royale” në 2006, por humbi përballë Daniel Craig për shkak të moshës së tij së re atëherë. Tani, në moshën 41-vjeçare, mund të jetë ironikisht i “moshuar” për këtë rol, duke qenë se Amazon mund të kërkojë një aktor më të ri për të realizuar disa filma radhazi.
Ndër emrat e tjerë të përmendur shpesh janë Tom Hardy, Aaron Taylor-Johnson dhe Idris Elba. Taylor-Johnson, i cili ka qenë pjesë e spekulimeve të shumta, ishte përfolur madje se kishte marrë ofertën për rolin, por asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Një tjetër emër i fuqishëm në këtë garë është James Norton, i cili është bërë i njohur për rolet e tij në “Happy Valley” dhe “McMafia”. Ai e ka cilësuar spekulimin mbi rolin e tij si Bond si “të çuditshëm dhe argëtues”.
Sipas Mark O’Connell, autor i librit “Catching Bullets: Memoirs of a Bond Fan”, Amazon mund të zgjedhë një aktor më të ri për këtë rol. Ai ka përmendur emra si Paul Mescal, Kingsley Ben-Adir dhe Harris Dickinson, të cilët janë aktorë të rinj britanikë me potencial të madh. “Tom Hardy do të ishte i shkëlqyer, por mendoj se është shumë i madh në moshë. Mendoj se Amazon do ta çojë Bondin në një drejtim më të ri,”-tha ai. Historikisht, James Bond është portretizuar gjithmonë si një burrë britanik me lëkurë të bardhë. Megjithatë, disa aktorë si Regé-Jean Page, Lucien Laviscount dhe Damson Idris janë përmendur si mundësi për të qenë Bondi i parë me ngjyrë.
Producentja Barbara Broccoli ka thënë më parë se “James Bond mund të ketë çdo ngjyrë, por ai duhet të jetë mashkull”. Sidoqoftë, Amazon mund të ketë qasje më të guximshme në këtë aspekt. Pasi Daniel Craig solli një qasje më serioze dhe të errët në karakterin e Bondit, disa ekspertë mendojnë se është koha për një kthim në një Bond më argëtues dhe më të lehtë. “Historikisht, kemi parë një alternim mes Bondëve seriozë dhe atyre më të lehtë. Dalton ishte serioz, pas tij erdhi Brosnan më argëtues. Craig ishte serioz, ndoshta tani është koha për diçka ndryshe,”-sugjeroi autori Ajay Chowdhury.
Deri më tani, Amazon dhe MGM Studios nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim zyrtar mbi zgjedhjen e tyre për Bondin e ri. Megjithatë, sipas ekspertëve, kandidati i mundshëm do të jetë një aktor britanik i mirënjohur, por jo një yll i madh global, për t’i dhënë mundësinë të ndërtojë karakterin për disa filma me radhë. Aktori i njohur Mel Gibson ka zbuluar se ka pasur mundësinë të përfshihet në listën e ngushtë për rolin e James Bond në fillim të karrierës së tij. Siç pretendon Gibson, në vitet 80-të ka marrë një telefonatë nga Albert Broccoli, një nga producentët e serialit Bond, i cili ia ka ofruar rolin. “Ai më tha se donin që unë të isha James Bond. Mendova se isha vetëm 26 vjeç dhe vendosa që në fund të fundit roli nuk ishte për mua, kështu që vendosa të shkoja në një drejtim tjetër”-tha ai.





