Të kujdesesh për flokët nuk është e lehtë,e aq më pak për të pasur kaçurelat perfekte që çdokush i ëndërron. Megjithatë mirëmbajtja e tyre mund të bëhet edhe në kushte shtëpie teksa mund të shijoni dhe një filxhan çaji duke pritur që maskat të bëjnë efektin.
Ne ju këshillojmë dy të tilla:
Maskë me avokado dhe mjaltë: Për të realizuar këtë maskë ju nevojiten 1 avokado e pjekur mirë, 3 lugë gjelle niseshte misri, 2 lugë gjelle mjaltë dhe 1 lugë gjelle vaj lini.
Fillimisht qëroni avokadon me kujdes. Kalojeni në frulator bashkë me niseshtenë e misrit dhe mjaltin për 2-3 minuta. Fikni frulatorin dhe bashkoni masën e mësipërme, që tashmë është bërë homogjene me vajin e linit. Lagni fillimisht flokët me ujë të vakët dhe aplikoni maskën në gjithë gjatësinë e tyre, duke masazhuar me lëvizje rrethore skalpin. Mbajeni për gati një orë dhe më pas lani flokët si zakonisht. Do të vini re që në fillim se flokët tuaj janë më të butë, kaçurrelat krihen lehtësisht dhe floku duket plot jetë.
Maskë me kos dhe vaj ulliri: Për përgatitjen e kësaj maske këshillohet 1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra i virgjër, 1 e verdhë veze, 1 banane e pjekur mirë dhe 3 lugë gjelle kos.
Vaji i ullirit ekstra i virgjër përmban acide yndyrore Omega-3 të cilat ushqejnë flokët, kurse përbërësit e tij janë të pasur me vitamina, antioksidantë dhe proteina që i ndihmojnë kaçurrelat të rriten shëndetshëm dhe të mos këputen lehtësisht. Shtoni fillimisht të verdhën e vezëve në kos dhe përziejini duke shtuar gradualisht vajin e ullirit. Më pas shtypni bananen dhe bashkojeni me masën tjetër. Kjo maskë duhet përdorur pas larjes së flokëve. E mbani për 30 minuta dhe në fund thjesht shpëlani kokën me ujë të bollshëm. Era e vezës nuk do të ndihet fare, kurse kaçurrelat tuaja do të jenë thjesht perfekte.

