Këmisha e bardhë është nga ato veshje që kombinohet lehtësisht, gjithmonë “in” dhe simbol i domosdoshëm i çdo gardërobe femërore. Nuk njeh orare, pasi këmisha e bardhë shkon mrekullisht me një palë pantallona xhins, siç kthehet në klasike e kombinuar me një fund të zi.
Nuk duhet që nën këmishë të vishni të brendshme me ngjyra, qoftë të zeza ose të bardha. Këshillohet zgjedhja e një toni neutral, bezhë mundësisht, ngjyrë që eviton vulgaritetin dhe “prishjen” e pastërtisë që fal këmisha e bardhë. Bëni kujdes që këmisha të mos hapet në kopsën e tretë; kjo do të thotë që ajo ju rri e ngushtë, ose nëse e zbërtheni vetë atëherë sensualiteti kalon në erotizëm. Evitoni materialet sintetike të cilat rrezikojnë t’ju kthejnë në “të padëshiruarën” e punës dhe zgjidhni vetëm materiale të freskëta.
Këmisha e bardhë me prerje mashkullore ju jep një stil androgjen. Ajo më femërore është prerja “impero”, me qepje horizontale nën gjoks, por më tërheqëse mbetet modeli i viteve ’50. Kjo këmishë ka prerje në gjatësi, ka në përmbajtje material lycra duke e bërë këmishën më të puthitur me trupin. Nuk mund të lihet prapa as forma e jakës. Jakat e gjata dhe me majë evidentojë një fytyrë të plotë. E kundërta ndodh me jakat e rrumbullakosura, të cilat zvogëlojnë pamjen e fytyrës. Mëngët e gjata na shkojnë të gjithave, nëse mbërthehen tek pulsi i dorës. Në fund, para çdo blerjeje sigurohuni se këmisha ka qepje perfekte, sidomos tek linja e shpatullave, pasi aty mund të krijohet një formë jo estetike.

