Grimi është detaji përfundimtar për çdo femër, që ju bën të rrezatoni në çdo rast të ditës apo në mbrëmje. Natyrisht, mënyra e grimit ndryshon nga rasti në rast, por një gjë është e sigurtë se rimeli gjithnjë është I pranishëm. Përveç rimelit të rregullt, ekziston edhe lloji që është rezistent ndaj ujit, mirëpo ka disa gjëra që duhet t’i dini para se t’i aplikoni në qerpikët tuaj.
Kur të aplikoni pudër në fytyrë, kryesisht para saj aplikoni primer për të përgatitur fytyrën, duke mbushur poret në mënyrë që në fund të keni efekt të mirë të pamjes suaj, dhe fundja kështu qëndron edhe me përdorimin e rimelit. Që qerpikët tuaj të duken mirë, meqenëse ai rrezistent ndaj ujit i rëndon paksa qerpikët dhe është më i vështirë aplikimi, mund të zgjedhni ndonjë primer për qerpikë në mënyrë që t’i ndani ato në mënyrë të përkryer dhe më pas aplikoni në shtresa të lehta rimelin.
Është e rëndësishme që mos të përdorni këtë lloj rimeli çdo ditë, por ta ruani vërtetë për ndonjë rast të veçantë kur keni nevojë për grim të qëndrueshëm. Shpesh, lloji i tillë rimeli, nëse përdoret për një kohë të gjatë, mund të thajë qerpikët duke pasur ndikim negativ në rritjen dhe dendësinë e tyre, prandaj edhe duhet të shmanget përdorimi në sasi të madhe dhe për raste të përditshme të përdoret maskara e zakonshme.
Është po ashtu e rëndësishme edhe mënyra se si hiqet rimeli. Vetëm uji apo ndonjë tonik i zakonshëm për heqjen e grimit nuk është i mjaftueshëm. Përdorni një shtupë pambuku dhe tonik apo krem në formë vaji që është i destinuar për fshierje të makeup-it, por mos i fërkoni, thjeshtë bëni lëvizje rrethore lart dhe poshtë syrit derisa të shpërndahet ngjyra duke u zbutur dhe përfundimisht duke u hequr.





