Pushimet janë të mbushura me emocione, sidomos në verë! Nuk ka kufizime kohe, vendesh dhe ju ndiheni gati për të bërë gjithçka që ju bën të lumtur. Nëse po bëni pushime në një resort mund të ndiqni dhe hobet tuaja, si golfin, biçikletën, fotografinë ose të eksploroni një vend të ri.
Pushimet e vërteta na bëjnë të lumtur dhe nuk e mohojmë dot!
Një artikull në “Medical News” vë në dukje se “sindroma e pushimeve” u zbulua për herë në vitin 1950. Ndërsa, një studim i publikuar në “Journal of Organizational Behavior” zbuloi se teksa pushimet përmirësojnë mirëqenien, një “efekt zbehës” shfaqet brenda muajit kur i rikthehemi punës dhe rutinës.
Kjo mund të jetë një tronditje për mendjen dhe trupin. Shtëpia, fëmijët, gatimet, pastrimi, puna dhe përditshmëria janë të gjithë faktorë që e përkeqësojnë gjendjen menjëherë pas kthimit nga pushimet.
Disa nga shenjat e depresionit pas pushimeve përfshijnë:
-Ndjenjën e dembelizmit
-Mungesa e motivimit
-Vështirësi në fokusimin në detyra
-Vështirësi me gjumin
Si t’a shmangni depresionin pas pushimeve:
1) Përcaktoni një buxhet realist
Planifikimi financiar do të minimizojë dhimbjen dhe stresin pas kthimit nga pushimet. Pushimet janë të kushtueshme dhe është e lehtë të tërhiqeni nga të bërit shpenzime kudo ku shkoni. Kjo bën që shumë prej jush të kthehen në shtëpi me xhepat bosh ose kartën e kreditit të zbrazur, çka do të kërkojnë shumë punë për t’i shlyer.
2) Shmangni që gjërat të shkojnë keq kur jeni larg
Delegoni çdo detyrë që mundeni dhe ofroni udhëzime të qarta ndaj personave që keni ngarkuar me punët (në shtëpi ose zyrë).
3) Jepini kohë vetes për projektet e reja
Kapja e ritmit në punë, pas kthimit nga pushimet nuk është gjithmonë e lehtë. Kur të ktheheni, ritmi juaj mund të jetë më i ngadaltë dhe emaili të jetë plot me kërkesa, por jepini kohë vetes.
4) Mos u kthe në shtëpi në minutën e fundit
Është joshëse të rezervosh një fluturim në minutën e fundit dhe më pas të futesh në dush e të nesërmen të kthehesh në punë pa humbur asnjë minutë. Por, jo! Merrni kohën e mjaftueshme për të hapur valixhet, për të larë rrobat, për të paguar faturat, për të blerë ushqime, etj.





