Në ndryshim nga organet e tjera, lëkura është organi që e reflekton profilin e shëndetshëm ose jo të asaj që ju konsumoni. Duke qenë organi më i madh në trupin e njeriut, lëkura është përfituesi më i madh i vlerave të një diete të shëndetshme dhe “viktima” e parë e një diete të pashëndetshme.
Sa më shëndetshëm që ju të ushqeheni, aq më lëkurë të bukur do të keni dhe e kundërta: sa më ushqime të pashëndetshme të konsumoni, aq më shumë lëkura juaj do të plaket duke humbur elasticitetin, butësinë dhe ngjyrën. Përveç këtyre, ushqimet e pashëndetshme janë faktorë risku për patologji të tilla si aknet apo ekzemat.
Por cilat janë ushqimet e shëndetshme për një lëkurë të tillë? Frutat dhe perimet janë ushqimet bazë të cilat e tonifikojnë lëkurën, e ushqejnë vazhdimisht, e mbajnë vazhdimisht të re e të rigjeneruar, duke kundërshtuar plakjen e saj.
Ushqimet e shëndetshme për lëkurën
Ushqimet e shëndetshme për lëkurën janë ushqimet si pasojë e dietave të shëndetshme dhe të ekuilibruara. Megjithatë, për efektin e tyre në lëkurë, disa ushqime japin më shumë efekte pozitive se disa të tjera. Ushqimet e shëndetshme për lëkurën ndahen si më poshtë:
Ushqimet e pasura me antioksidantë
Antioksidantët kanë një ndikim të konsiderueshëm në lëkurë. Për shkak se ato luftojnë radikalet e lira, të cilat, ndërmjet dëmeve të tjera, shpejtojnë plakjen e organizmit dhe në këtë aspekt edhe lëkurës, antioksidantët rigjenerojnë lëkurën dhe eleminojnë të ashtuquajturën “plakja e parakohshme e lëkurës”. Antioksidantët kryesorë janë rrushi i kuq, rrushi i thatë, kumbulla e freskët, kumbulla e thatë, manaferrat dhe spinaqi. Frutat dhe perimet e mësipërme janë antioksiduesit më të fortë natyralë. Farat e rrushit të kuq janë të pasura me flavonoide dhe në veçanti përmbajnë një lëndë të quajtur aktivin, e cila ka veti antioksiduese shumë më tepër se vitaminat C, E dhe betakarotinet.
Mjaft të pasura gjithashtu me antioksidantë janë edhe frutat e kuqe si shega, boronicat dhe luleshtrydhet. Shega mbetet si një ndër ushqimet më të këshillueshme për dermatologët. Përveç vetive të fuqishme antioksiduese që ka, konsumimi i një shege në ditë i jep lëkurës një pamje të bukur dhe të shëndetshme ngjyrë rozë, kurse e aplikuar si maskë në fytyrë, shega ndihmon në parandalimin e rrudhave dhe reduktimin e tyre.

