Si u krijua Beauty Fair Albania – Nga një ëndërr në panairin më të madh të bukurisë në Shqipëri
Panairi profesional i bukurisë u krijua si një nevojë e tregut për një panair të mirëfilltë në fushën e kozmetikës, të bukurës dhe modës. Hapat e parë ishin një nga vështirësitë më të mëdha, por vështirësitë e mëdha sjellin gjithmonë rezultate të mira. Kështu ndodhi edhe me Beauty Fair Albania. Në fillim, stafi minimalist prej 2 personash donte të merrte patentën e një panairi të njohur në botë dhe ta sillte atë edhe në Shqipëri. Unë, Isida Mollaymeri, si krijuese e këtij panairi, dëshiroja shumë që të ishte një panair si ai i Sephora-s, Cosmoprof-it apo The Touch of Paris që bëhej në Ballkan. Kisha disa kohë që merresha me menaxhimin e disa firmave kozmetike dhe doja shumë që edhe Shqipëria të kishte një panair si ata nëpër botë.
Dashurinë për panairet e kam pasur që në vogëli; kur isha në vit të parë gjimnaz punoja në panairet e fundvitit dhe kisha nostalgji për ato panaire që në atë kohë bëheshin shumë mirë dhe frekuentimi i tyre ishte shumë i lartë. E shikoja vërtet si realizimin e një ëndrre të kisha sot panairin tim. Teatri më kishte ushqyer shumë ambicien e të bërit të gjërave, por të bërit mirë ama—isha mësuar të isha gjithmonë solistja—ndërkohë shkolla e drejtësisë më mësoi që letrat dhe dija e ligjeve të lejonin të bëje gjithçka që në rrugën e duhur. Biznesi ishte në mes artit tim me të cilin isha rritur që e vogël, punës së madhe që kisha mësuar nga familja dhe dijes që mora në shkollë. Ishte koha e duhur që të gjitha këto të ecnin në një linjë.
Nga të gjitha tratativat që pata për çmimet në negociata, ato më rezultuan shumë të larta dhe nuk arrita dot asnjë marrëveshje për të marrë njërën nga patentat e lartpërmendura. Kështu, duke u menduar gjatë, thashë: pse nuk mund të krijoj unë një panair shqiptar dhe ta bëjmë atë ndërkombëtar? Kisha bërë kaq shumë evente dhe pse jo ta bëja dhe këtë. Kisha nevojë edhe për dikë tjetër dhe kështu zgjodha një mikun tim që u bë dhe bashkëpunëtori im i asaj kohe, Eraldo Rexho, që mbështeti iniciativën time që në momentin e parë që fillova t’i tregoj se çfarë kisha ndërmend, dhe kështu vendosëm të krijonim një panair nga hapat e parë. Vendosëm një emër, zgjodhëm ngjyrën me të cilën do të përfaqësohej panairi për herë të parë, që ishte ngjyra portokalli, zgjodhëm imazhin, që ishte lehtësisht e identifikueshme si vajza më e bukur shqiptare dhe ajo ishte Adrola Dushi, dhe kështu nga tetori deri në janar brand-i dhe letrat juridike ishin të kopsitura.
Puna kolosale ka qenë në gjetjen e bashkëpunëtorëve tanë, pasi ne donim që panairi të ishte vërtet një panair i denjë për beauty. Dhe kur flitet për bukurinë dhe kujdesin e lëkurës, gjithçka duhet të jetë e pastër, vezulluese dhe perfekte për syrin tonë në radhë të parë, dhe sigurisht për klientin që do të pranonte të ishte pjesë për herë të parë i këtij panairi dhe do të na besonte neve në këtë iniciativë kaq kolosale, por mbi të gjitha, për vizitorët e panairit që do të ishin edhe sfida jonë në treg për vitin e parë. Vendi perfekt ishte, sigurisht, Pallati i Kongreseve. Pasi vendosëm dhe kush do të bënte stendat, kush do të kujdesej për detajet dhe për ndriçimin, filloi puna e vërtetë në terren me klientët. Për të kontaktuar të gjithë klientët, ishte shumë e nevojshme që të kishim edhe dikë tjetër pasi tregu shqiptar fatmirësisht kishte shumë brand-e dhe takimet duhej të ishin të shumta për të arritur për herë të parë një portofol të madh të brand-eve, një besueshmëri tek klientët dhe një prurje mjaft të mirë edhe jashtë trojeve të Shqipërisë për panairin, si edicioni i tij i parë. Eraldo njihte një vajzë që quhej Sara Fani, të cilën e morëm në stafin tonë të vogël dhe ajo u bë një ndihmesë mjaft e mirë për ne në takimet me klientët dhe në ditët e vështira të montimit të panairit, të ditëve të tij dhe të çmontimit—që ishte sa një lumturi aq e madhe që gjithçka kishte shkuar për mrekulli, aq edhe një trishtim që mbaroi aq shpejt. Ne u bëmë një skuadër prej 3 vetash dhe dukeshim si të ishim 30.
Pse u krijua Beauty Fair Albania?
Një Ngjyrë më Shumë në Pranverën e Bukurisë Shqiptare
Panairi më profesional i bukurisë u soll për herë të parë në Shqipëri më 17, 18 dhe 19 Maj 2019 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Edicioni i parë i Panairit dëshmoi edhe një herë nevojën e njerëzve për të bukurën, duke shënuar shifra rekord në pjesëmarrje dhe duke identifikuar në mënyrë të konsiderueshme nevojat e konsumatorëve dhe mangësitë e tregut. Në Shqipëri mungonte një panair profesional ku shumë distributorë të mund të kishin mundësinë për të ekspozuar produktet e tyre dhe të gjitha firmat që ata distribuonin, pasi konsumatori nuk ishte i informuar që këto firma të njohura ndodheshin edhe në Shqipëri. Ky panair erdhi falë bashkëpunimit dhe konsulencës me organizatorët e panaireve më të rëndësishme në botë.
Pasqyrimi në media të ndryshme si televizion, radio, gazeta, portale dhe rrjete sociale nëpërmjet gazetarëve dhe personaliteteve të ndryshme ndikoi që atmosfera, diskutimet dhe angazhimi i pjesëmarrësve, por edhe audiencave të tjera të rritej ndjeshëm dhe të vijonte përtej kohëzgjatjes së panairit. Ndihmesë të madhe patën dhe miqtë tanë të cilët kishin një numër të konsiderueshëm ndjekësish në rrjete sociale, të cilët shpërndanë panairin dhe eventet që ndodhën ato ditë, por edhe blogerë që nuk munguan në të 3 ditët duke komentuar panairin, eventet, stendat dhe firmat që kishin marrë pjesë në të.
Në Shqipërinë e shumë ngjyrave, zgjodhëm që të sjellim këtë pranverë tek ju një ngjyrë më shumë. “Beauty Fair Albania” lindi nga dëshira për të shtuar hapësirat promovuese në sektorin e bukurisë dhe për të bërë bashkë në një event disa nga kompanitë lider të këtij biznesi në Shqipëri. Natyrisht, ne menduam edhe për ju, konsumatorët finalë, ndaj edhe këmbëngulëm për një Panair në të cilin do të aplikoheshin ulje nga 10 deri në 50%. Menduam gjithashtu për ju kur organizuam dhurata shpërblyese për të gjithë blerësit, të cilët patën mundësi të fitonin dy udhëtime fantastike drejt ishujve të Greqisë, mundësuar nga Zenith Travel. Kjo ishte motoja e panairit të parë që quhej “Beauty Fair Albania”, duke pasur dëshirën dhe ëndrrën që çdo vit do të sjellë një ngjyrë të re në stinën e bukur të pranverës. Çdo vit panairi do të ketë një ngjyrë identifikuese. Orët e qëndrimit në “Beauty Fair Albania” do t'i shijojë secili prej jush për larmishmërinë e aktiviteteve—nga sfilatat, tek seminaret, këshillat e profesionistëve dhe kënaqësia e blerjeve me çmime të leverdisshme.
Pas një përvoje fantastike në maj të 2019-ës, Panairi më i madh i Bukurisë në Shqipëri solli bashkëveprimin e markave më të njohura me profesionistët më të mirë të fushës. Ky Panair është i vetmi në Shqipëri që bashkon mjeshtrat e bukurisë me konsumatorin final, duke u bërë atyre të mundur të njihen me çdo produkt dhe shërbim në një event profesional me më shumë se 4,000 vizitorë në ditë, shumë dhurata, sfilata, seminare, trajnime dhe edukim të konsumatorit.
Synimi, Qëllimi, Misioni & Përgjegjësia Sociale
Synimi Ynë Kryesor
Beauty Fair Albania ka si qëllim që të çojë në nivelin më të lartë veprimtarinë që lidhet me industrinë e bukurisë në Shqipëri dhe të mundësojë rritjen e saj të përhershme, duke edukuar dhe bashkuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë biznes:
- Rritja e interesit të konsumatorit në vendin tonë për industrinë e bukurisë.
- Krijimi i besueshmërisë në këto produkte, si faktor ndihmues në rritjen ekonomike të vendit.
- Plotësimi i nevojave të kompanive që janë distributorë të produkteve në mbarë botën.
- Përmirësimi i cilësisë së produkteve, ekspozuesve dhe shërbimeve.
- Përdorimi i teknologjive më të fundit dhe i shitjeve Online.
- Gjatë ditëve të panairit sigurohet: Ulje në çmimet e produkteve për të gjithë konsumatorët gjatë të tre ditëve të panairit.
Qëllimi i Beauty Fair Albania
- Të forcojë biznesin e bukurisë dhe t'u japë të gjithëve mundësinë të njihen me gamën e gjerë të qendrave të shërbimit dhe produkteve që kanë përfaqësi ekskluzive në Shqipëri.
- Rritja e integritetit të grave dhe vajzave në shoqëri.
- Mundësi punësimi për të rinjtë.
- Të ofrojmë shërbimin maksimal me produktet më të kërkuara me një kosto më të ulët.
- T’u ofrohet atyre më shumë siguri dhe vende pune.
- Të rrisim vetëbesimin tek ato gra dhe vajza të cilat janë të frustruara e të dhunuara.
- Të shtrijmë Beauty Fair Albania jashtë trojeve të Shqipërisë.
Përgjegjësia Sociale & Misioni
Përgjegjësia Sociale: Përgjegjësia dhe rëndësia jonë në këtë aspekt është qenia Grua/Vajzë. Ne duam të edukojmë, të mbështesim, të rrisim vetëbesimin e këtyre grave dhe vajzave dhe mbi të gjitha të rrisim rëndësinë e tyre në shoqëri. Beauty Fair Albania e pa të nevojshme këtë akt të përgjegjësisë sociale, duke qenë se aktiviteti ynë është i lidhur drejtpërdrejt me gratë dhe vajzat, të cilat janë një forcë e madhe për shoqërinë e si të tilla, duhen mbështetur dhe përkrahur në çdo nismë. Në këtë kuadër, gjatë ditëve të panairit kemi organizuar seminare dhe workshop-e me influencer-a për rritjen e vetëbesimit dhe trajnimin e mënyrës së qasjes së grave dhe vajzave ndaj shoqërisë, të afërmve, eprorit apo klientit.
Misioni: Beauty Fair Albania ka si mision që të rrisë industrinë e bukurisë, të punësojë sa më shumë gra dhe vajza, dhe të rrisë në mënyrë të suksesshme profesionet e industrisë së kozmetikës.
Vendet ku Operon Beauty Fair Albania
Vendet ku operon Beauty Fair Albania janë fabrikat kozmetike dhe kompanitë që kanë distribucione që lidhen me kozmetikën e kujdesin për të bukurën:
- Pajisje të ndryshme, lazer, pajisje dobësimi, etj.
- Bojëra flokësh dhe shampo profesionale.
- Kremra fytyre dhe trupi.
- Solucione të ndryshme që shërbejnë për bukurinë.
Të gjitha këto fabrika e kompani janë të shtrira në të gjithë Shqipërinë. Ne i sjellim në Beauty Fair Albania për të zhvilluar këtë industri kaq të madhe dhe për të reduktuar papunësinë e grave dhe vajzave.
Si Operojmë Ne & Komunikimi Mediatik
Si Operojmë Ne
- Njoftim 4 muaj përpara për zhvillimin e panairit në datat përkatëse.
- Njoftim nëpër rrjete sociale 4 muaj rresht deri në datën e panairit.
- Njoftim me influencer-a të rëndësishëm në Shqipëri dhe në fushën e kozmetikës.
- Reklamë në media 2 muaj përpara.
- Dy javë përpara panairit: spote të dedikuara në TV, radio, rrjete sociale dhe portale online.
- Prezencë në studio në emisione të dedikuara për të diskutuar rreth Beauty Fair Albania në TV: Top Channel, Klan, Vizion Plus, News 24.
- Konferencë shtypi një ditë përpara hapjes së panairit, me prezencën e gazetarëve nga mediat tradicionale dhe mediat e reja, e shoqëruar me njoftim për shtyp për të gjitha mediat.
- Intervista të ndryshme në media gjatë ditëve të panairit nga organizatorët e panairit.
- Organizim i aktiviteteve promovuese në bashkëpunim me firmat dhe specialistët pjesëmarrës duke ftuar ekspertë të njohur të fushës (sfilata, biseda, etj.).
- Aktivitete edukimi për vizitorët, studentët dhe qytetarët me ekspertë të njohur:
– Workshop-e në fushën e komunikimit në media dhe rrjete sociale me blogerë, vlogerë dhe influencer-a të suksesshëm;
– Seminare në fushën e kujdesit personal nëpërmjet trajtimeve me produkte specifike me specialistë në fushën e dermoestetikës, kujdesit për lëkurën, etj. - Aktivitete artistike për argëtimin e pjesëmarrësve dhe vizitorëve të panairit, si dhe konkurse me çmime prestigjioze.
- Matje e numrit të vizitorëve me biletat me numër serie që jepen në hyrje, për të evidentuar fluksin ditor të vizitorëve.
Komunikimi 360°
Beauty Fair Albania ka zgjedhur mënyrën e duhur dhe më të spikaturën për t'u tërhequr vëmendjen klientëve dhe për të fituar kështu besimin e tyre—gjë që e dëshmoi mjaft mirë që në edicionin e parë në vitin 2019 përmes kanaleve:
Rezultati & Përfitimet
Rezultati
- Një panair mjaft i suksesshëm që në vitin e parë me më shumë se 8,000 vizitorë për dy ditë.
- Një interes mjaft i madh nga shumë vajza të reja.
- Punësim afatshkurtër i vajzave gjatë periudhës së përgatitjes dhe zhvillimit të panairit.
- Punësime afatgjata të grave dhe vajzave në kompanitë dhe institucionet pjesëmarrëse si ekspozues dhe partnerë në panair.
- Dhe mbi të gjitha, një hap drejt një shoqate integruese që do të quhet “Beauty Girls Albania”.
Përfitimet
- Rritja e ekonomisë në Shqipëri.
- Rritja e interesit në fushën e bukurisë dhe kozmetikës.
- Rritja e punësimit të grave dhe vajzave.
- Hapja e një shoqate të re për gratë dhe vajzat e përfshira në fushën dhe industrinë e bukurisë, kozmetikës, etj.


