Sara Gjordeni ka ndarë me ndjekësit një moment mjaft emocionues nga jeta e saj private, duke zbuluar përmes një videoje se si ia komunikoi partnerit të saj, Bardhit, lajmin e bukur se familja e tyre do të zgjerohet sërish.
Ish-banorja e “Big Brother VIP” tregoi se nuk kishte menduar ndonjë surprizë të veçantë, përveçse t’i kërkonte Bardhit të luanin një lojë të vogël, ku ai duhej të përsëriste gjithçka që ajo thoshte.
Një mënyrë e ëmbël dhe origjinale për t’i zbuluar lajmin që do t’u ndryshonte jetën.
Por pas kësaj surprize fshihet edhe një histori më e ndjeshme. Sara rrëfeu se gjatë muajit prill kishte kaluar një periudhë të vështirë për shkak të shqetësimeve me zemrën, rrahjeve të çrregullta, vështirësive në frymëmarrje dhe ankthit që e shoqëronte ditë e natë.
Çifti e kishte përjetuar këtë situatë në heshtje, duke shpresuar që vizitat e vazhdueshme te kardiologu të merrnin fund sa më shpejt. Simptomat nuk kishin një shpjegim të qartë, çka i kishte shtuar edhe më shumë shqetësimet e tyre.
Deri në mbrëmjen kur disa teste të rastësishme i zbuluan Sarës se pas gjithë atyre shqetësimeve fshihej një bekim i vogël: një jetë e re që po vinte në familjen e tyre, pa e ditur ende.
Për Sarën dhe Bardhin, ky moment nuk ishte thjesht gëzimi për ardhjen e një fëmije tjetër, por edhe një çlirim emocional pas muajsh pasigurie.
“Ne fakt, asgjë s’po shkonte gabim, por fiks siç Zoti e deshte”, shkruan Sara, duke e shoqëruar rrëfimin me videon e veçantë të momentit kur Bardhi mësoi lajmin e bukur.

