Një mëngjes i vështirë për Top Albania Radio. Një zjarr i papritur ka dëmtuar studiot e radios, duke bërë të pamundur vijimin e transmetimeve të zakonshme.
Lajmin e ka bërë të ditur Ledion Liço, i cili ka ndarë mesazhin e radios, duke informuar dëgjuesit për situatën e krijuar dhe duke shprehur keqardhjen për këtë ngjarje të papritur.
“Një mëngjes i trishtë për Top Albania Radio dhe dëgjuesit e saj”, thuhet në njoftim, ku bëhet e ditur se zjarri ka shkaktuar dëme në ambientet e studios dhe ka ndërprerë përkohësisht transmetimet normale.
Pavarësisht tronditjes nga kjo ngjarje, lajmi pozitiv është se të gjithë janë mirë. Stafi po punon për të rikthyer sa më shpejt normalitetin dhe për t’u rikthyer pranë dëgjuesve, të cilët e kanë shoqëruar radion ndër vite.
Në mesazhin e tyre, përfaqësuesit e Top Albania Radio kanë falënderuar dëgjuesit për mirëkuptimin, mbështetjen dhe dashurinë e treguar në këtë moment të vështirë.





