Roza Lati ka folur hapur për paragjykimet me të cilat është përballur ndër vite për shkak të profesionit të nënës së saj, aktores së njohur Rita Lati.
Në një rrëfim personal për “N’vibe” me Malbora Gurrën, Roza tregoi se mamaja e saj është gjykuar shpesh vetëm sepse ka qenë aktore dhe ka interpretuar për vite me radhë në skeçe përkrah aktorit Behar Mera. Sipas saj, bashkëpunimi artistik mes dy aktorëve është keqinterpretuar vazhdimisht nga njerëzit.
“Mua mamin ma kanë gjykuar shumë vetëm për faktin që ajo është aktore dhe ka luajtur skeçe me ortakun e saj, Behar Merën. Beharin ma kanë bërë për baba gjithë jetën, për të dashurin e mamit”, u shpreh Roza.
Ajo sqaroi se realiteti është krejt tjetër, duke theksuar marrëdhënien e mirë që nëna e saj ka me familjen e Behar Merës dhe veçanërisht me bashkëshorten e tij, Besën.
“Ndërkohë mami im gëzon një marrëdhënie shumë të mirë me familjen e Beharit, me Besën, gruan e tij”, shtoi ajo.
Roza pranoi se gjithë ky paragjykim ndaj nënës së saj ka ndikuar edhe në formimin e karakterit të saj. Sipas saj, pikërisht presioni dhe komentet që ka përjetuar që e vogël kanë ushqyer natyrën e saj rebele dhe e kanë mësuar të mos shqetësohet për atë që të tjerët mendojnë.
“Ai paragjykim që kam pasur mbi supe për nënën time më ka bërë këtë frymë rebele, që mua mos të më plasë fare”, përfundoi Roza.





