Shqipëria ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj San Marinos, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë e nisën takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutat e para. Një top i kthyer nga mbrojtja e San Marinos përfundoi te Kristjan Asllani, i cili me një goditje të fuqishme me të djathtën e dërgoi topin në rrjetë.
Pjesa e parë vijoi nën kontrollin e Shqipërisë, e cila krijoi mundësi për të dyfishuar avantazhin, por 45 minutat e para u mbyllën vetëm me golin e Asllanit.
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtën tablo, me kuqezinjtë që kërkonin golin e dytë. Por në minutën e 66-të, një pasiguri në prapavijë i dha mundësinë San Marinos të barazonte rezultatin me Lazarin. Goli i pësuar ishte një goditje për Shqipërinë, që iu rikthye menjëherë sulmeve në kërkim të avantazhit. Në një mbrëmje ku Asllani ishte protagonist absolut, mesfushori do të shënonte sërish.
Pas një prekjeje me dorë në zonën e San Marinos, arbitri u konsultua me VAR-in dhe akordoi 11-metërsh për Shqipërinë. Asllani mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi nga pika e bardhë, duke rikthyer avantazhin dhe i dhënë Shqipërisë tri pikë shumë të rëndësishme.
Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet përkohësisht në vendin e parë me 9 pikë. Pas saj renditen Bjellorusia dhe Finlanda me nga 7 pikë, ndërsa San Marino mbetet në fund të Grupit C me zero pikë.




