Elijona Binakaj ka reaguar pas mesazheve dhe komenteve të shumta që thotë se po merr ditët e fundit, kryesisht në lidhje me raportin e saj me Klodian Mihajn.
Përmes një postimi në Instagram, ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova” ka sqaruar se aktualisht ka zgjedhur të kalojë më shumë kohë me familjen dhe se nuk mendon se duhet të japë shpjegime për këtë vendim.
“Po më vijnë çdo ditë mesazhe dhe komente për faktin që po kaloj kohë me familjen time dhe jo me personin që ju doni të më shihni. Dua ta bëj shumë të qartë: familja ime është prioriteti im”, shkroi Elijona.
Ajo shpjegoi se pjesa më e madhe e familjes së saj jeton në Kosovë dhe, për shkak se nuk ka mundësi t’i ketë gjithmonë pranë, dëshiron të shfrytëzojë çdo moment kur ndodhet me ta.
Elijona kujtoi se lidhjen e fortë me familjen dhe rëndësinë që ajo ka në jetën e saj e kishte shprehur edhe gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP Kosova”.
Në të njëjtin reagim, ajo iu përgjigj edhe komenteve se mund të jetë duke krijuar situata apo “drama” për të tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale.
“Kurrë nuk do ta detyroja veten të krijoja drama vetëm për disa klikime apo vëmendje”, theksoi ajo, duke mohuar se sjellja e saj e fundit lidhet me dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes.
Por Elijona u ndal edhe te një tjetër çështje që ka shkaktuar diskutime: problemet me llogarinë në Instagram të Klodian Mihajt.
Sipas saj, Klodi është hakuar dhe ajo nuk ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur me llogarinë e tij.
“Klodi është hackuar. Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë dhe është absurde që çdo ditë të më vini fajin për diçka që nuk ka të bëjë me mua”, shkroi Elijona.
Në fund, ajo u kërkoi ndjekësve të mos ndërtojnë përfundime vetëm mbi atë që shohin në rrjetet sociale, duke theksuar se nuk dëshiron të ndihet e detyruar të japë llogari për mënyrën se si zgjedh ta kalojë kohën e saj.






