Është e trishtueshme dhe shqetësuese mënyra se si disa ndjekës dhe madje edhe media kanë zgjedhur të fokusohen te fytyra me akne e Stelinës, duke e kthyer një realitet krejtësisht njerëzor në tituj gjykues dhe fyes. Krahasimet “me make up” dhe “pa make up”, artikujt që flasin për “ndryshim drastik” apo shprehje absurde si se paska “frikësuar” shikuesit, tregojnë më shumë për mentalitetin e atyre që i shkruajnë sesa për vajzën që po gjykohet.
Aknet nuk janë shenjë shëmtie, as pakujdesie, as “problemi” për t’u komentuar publikisht. Janë një gjendje e zakonshme e lëkurës që prek miliona vajza dhe djem, pavarësisht moshës, statusit apo famës. Stelina nuk ka detyrim të duket perfekte 24/7 dhe as të fshehë fytyrën e saj për t’iu përshtatur pritshmërive të sëmura të publikut.
Çdo vajzë është e bukur, me akne apo pa akne, me make up apo pa make up. Bukuria nuk matet me filtra, fondatinë apo lëkurë “të lëmuar” sipas standardeve të rrjeteve sociale. Askush nuk ka të drejtë të etiketojë një vajzë si “të shëmtuar” apo ta përdorë pamjen e saj për klikime dhe sensacion.
Ndoshta është koha që të flasim më pak për fytyrën e grave dhe më shumë për respektin, empatinë dhe përgjegjësinë që kemi kur shkruajmë dhe komentojmë. Sepse fjalët lëndojnë dhe normalizimi i këtij lloji gjuhe vetëm sa ushqen pasigurinë te mijëra vajza që e shohin veten në pasqyrë çdo ditë.
Bukuria nuk ka një formë të vetme. Dhe askush nuk duhet të kërkojë falje për fytyrën e tij.





