Ermal Meta është një baba i përkushtuar ndaj familjes së tij, e cila gjatë viteve të fundit është zgjeruar jo vetëm me lindjen e vogëlushes Fortuna, që e pati me partneren e tij Chiara Sturdà, por edhe me ardhjen e dy vajzave të birësuara, Klodjana dhe Lumturije.
“Nuk e di çfarë lloj babai jam, por shpresoj që një ditë të bëhem ai baba që është gjithmonë aty, edhe kur ndoshta nuk është. Nuk kam pasur kurrë një shembull për t’u marrë, ndaj nuk e di çfarë babai jam, por po përpiqem ta ndërtoj këtë çdo ditë. Nga njëra anë mundohem të bëj më të mirën, nga ana tjetër më duket sikur nuk është kurrë mjaftueshëm”, – tha Ermal Meta, 44 vjeç, gjatë intervistës me Michelle Hunziker në episodin e fundit të Io Canto Family, ku fituan Matteo dhe babai i tij Mario.
Këngëtari u befasua nga prania në publik e vajzave të tij të mëdha.
“Jemi këtu për të të thënë faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne – për momentet e bukura, për këshillat, për të gjitha gjërat që bën për ne. Jemi shumë me fat që kemi ty dhe Chiarën në jetën tonë. Dhe jemi të lumtura”, – i thanë ato.
Ermal Meta kishte treguar më parë në një intervistë për Vanity Fair për ardhjen e Klodjanës dhe Lumturijes në jetën e tij.
“Unë dhe partnerja ime Chiara së shpejti do të kemi pranë nesh dy vajzat e tjera, të cilat deri tani kanë qenë në një jetimore në Shqipëri. I kemi njohur kur ishin 15 vjeçe, por, pasi nuk jemi të martuar, nuk mund t’i adoptonim. Kur të mbushin 18 vjeç, do të mund të vijnë të jetojnë me ne. Por, po ju them, ato janë tashmë vajzat tona prej tre vitesh,” – kishte shpjeguar kantautori.
Ai kishte treguar edhe për takimin e parë me to:
“I kam njohur duke punuar me një shtëpi familjare që ka strehuar vajza dhe fëmijë me histori shumë të vështira pas. Që atëherë shihemi gjithmonë, ose ne shkojmë t’i vizitojmë, ose ato vijnë këtu; janë vite që jemi të përfshirë në këtë gjë.”
Në një nga takimet e para, Ermal Meta dhe Chiara Sturdà kaluan pushimet e verës bashkë me vajzat.
“Kur ato u larguan një verë, e kuptova që nuk do të mund të jetoja më pa to. Unë dhe Chiara u gjendëm në një heshtje të pabesueshme — ato bënin shumë zhurmë, por papritur ra një qetësi tronditëse. Fillova të qaj si fëmijë, nuk mund të ndalesha.”
Këngëtari nuk e fshehu se rruga e birësimit është e vështirë:
“NatyraIisht nuk është gjithçka me trëndafila, sepse ato, si jetime, kanë pasur histori shumë të rënda. Njëra prej tyre, më e vështira, ishte shumë e mbyllur ndaj çdo kontakti. Me Chiara-n ishte më mirë, me mua aspak, dhe kjo tregonte qartë çfarë traume kishte përjetuar. Kur erdhi momenti të përshëndeteshim, ajo doli, por më pas u kthye. U ndal para meje dhe lëkundej. I thashë: ‘Ke harruar diçka?’ Ajo tha jo. ‘Atëherë pse u ktheve?’ Dhe, në një çast, ndoshta donte të përqafohej — nuk më përqafoi, por vuri kokën mbi kraharorin tim.”
Në atë moment Ermal Meta kuptoi se ishte bërë baba:
“Sa herë që mendoj për atë çast, më dhemb zemra. Ishte një kontakt i jashtëzakonshëm, një moment i pabesueshëm — aty u bëra babai i saj. Më pas nisa menjëherë të kuptoj si mund të bënim. Ato mbaruan shkollën e mesme në Shqipëri dhe tani që po bëhen madhore do të mund të jetojnë me ne.”
Në vitin 2024, Ermal Meta dhe Chiara Sturdà u bënë prindër të Fortuna Marie-s.
I ftuar në Verissimo, Ermal Meta foli për shtatzëninë e vështirë të partneres:
“Chiara i shpëtoi jetën kësaj vajze. Ajo nuk flinte kurrë, ishte gjithmonë e vëmendshme. Në fund doli që kishte të drejtë, sepse vuri re se po ndodhte diçka që nuk duhej të ndodhte. Kishte një problem serioz që Chiara nuk do ta kishte vënë re nëse do të kishte qenë në gjumë. Kjo i shpëtoi jetën vajzës sonë.”





