Zemra e një prej kameramanëve më të mirë të RTSH-së, Ervin Hotit pushoi së rrahuri në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, pas një sëmundje të rëndë dhe të shpejtë.
Lidhur me këtë lajm të trishtë, ka reaguar dhe Luiz Ejlli, i cili teksa shpreh ngushëllimet për familjarët, tregon se Ervini ka qenë i pranishëm në hapat e tij të parë drejt suksesit.
Ervini nuk ishte vetëm një kameraman, por një mik i rrugëtimit tim artistik. Ai ka qenë aty që në hapat e parë tek “Ethet e së premtes mbrema”, në festivalet e RTSH-së, në koncerte e intervista, duke fiksuar me kamerën e tij kujtimet që mbeten të gjalla dhe sot, shkruan Ejlli.
Ervin Hoti prej 22 vitesh kontribuoi në realizimin e qindra programeve televizive, duke nisur nga programet e thjeshta e deri te spektaklet.
Ai ishte një nga “sytë” më cilësor me anë të të cilit publiku ka parë dhe shijuar prodhimet e RTSH-së për më shume se dy dekada. Ervini karakterizohej nga korrektësia dhe intuita krijuese në çdo aspekt të punës.
Ai do t’i mungojë jo vetëm familjes, por edhe Radio Televizionit Shqiptar, institucionit ku punoi me aq përkushtim dhe profesionalizëm. RTSH i shpreh ngushëllime familjarëve dhe të afërmve





