Saturday, May 2, 2026
spot_imgspot_img
spot_img

Related Posts

Shtatë ngjyra moderne me efekt kundër plakjes

Ekzistojnë disa nuanca që, përveçse i fshehin disa vite nga pamja, përmirësojnë përmasat e trupit, balancojnë tonin e lëkurës dhe i japin shkëlqim pamjes suaj. Ato kanë një fuqi të veçantë për ta “rinovuar” dukjen tuaj.

Sekreti për të arritur këtë efekt është zgjedhja e duhur e ngjyrave. Sigurisht, ndjesia e rehatisë në stilin personal është gjithmonë prioritet, po ashtu edhe vetëbesimi është çelësi i çdo kombinimi.

Megjithatë, disa ngjyra sjellin një efekt të garantuar kundër-plakjes dhe e bëjnë pamjen më të sofistikuar, pa shumë përpjekje, transmeton Telegrafi.

E bardha “qumështore”

Sezoni i verës i është kushtuar gjithmonë ngjyrave të çelura, por këtë verë, stilistët duket se janë pajtuar unanimisht për një ton të vetëm neutral: të bardhën qumështore. Është shumë e lehtë për t’u kombinuar dhe ka një “talent të fshehur”, thekson linjat e trupit dhe ndriçon lëkurën, duke i dhënë tenit një pamje më të freskët dhe rinore.

Bluja në të gjitha nuancat

Bluja është një nga ngjyrat më dominuese të këtij sezoni, nga nuancat e lehta që u panë në pasarelat e modës, deri te ato të errëta indigo që mbizotërojnë te markat e stilit urban. Kjo ngjyrë përcjell qetësi dhe pastërti. Bluja ndihmon në njëtrajtësimin e tonit të lëkurës dhe i thekson sytë – pa marrë parasysh ngjyrën e tyre.

E gjelbra “fëstëkë”

Në koleksionet verore të markave luksoze si Versace, Erdem apo Del Core, mbizotërojnë ngjyrat pastel dhe të gjalla, dhe njëra nga më të dalluarat është e gjelbra “fëstëkë”. Kjo ngjyrë e butë me nuancë të ngrohtë “gjallëron” çdo veshje dhe ndihmon në neutralizimin e parregullsive të lëkurës.

E kuqja klasike

E kuqja është një ngjyrë e përjetshme. Gjithmonë është një zgjedhje e sigurt, qoftë për një fustan solemn, një bluzë të lehtë për punë, apo thjesht një manikyr elegant. Me intensitetin e saj, kjo ngjyrë tërheq vëmendjen dhe rrezaton vetëbesim. Kush vesh të kuqe, nuk kalon pa u vënë re.

E verdha “gjalpë”

Këtë verë, e verdha është kthyer në një “moment mode”. Nuanca e butë e gjalpit është frymëzuese për shumë dizajnerë të mëdhenj nga fustanet e lehta dhe fundet, te kostumet e gjera dhe aksesorët. E verdha gjalpë i jep një ndjesi harmonie dhe elegance veshjes, është e lehtë për t’u kombinuar dhe përfaqëson një alternativë të ngrohtë ndaj toneve të zakonshme bezhë apo krem.

E hirta “e hënës”

Ngjyrën e zezë e duam për funksionalitetin e saj dhe aftësinë për të nxjerrë në pah linjat e trupit. Por në temperaturat e larta të verës, ajo nuk është gjithmonë zgjedhja më praktike. Një zëvendësues shumë i mirë është gri, më saktë “e hënës”. Kjo hije më e çelur, me nuancë të lehtë hiri, duket më e butë, më e freskët dhe më elegante.

Ngjyra karamele

Dihet tashmë se e gjithë paleta e nuancave të çokollatës i jep hijeshi pamjes. Por ndër më të veçantat është ngjyra karamele, një bezhë-kafe e butë dhe e ngrohtë. Është shumë e lehtë për t’u kombinuar me ngjyrat neutrale dhe i shton ngrohtësi fytyrës, duke e bërë atë të duket më e gjallë dhe më rinore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Popular Articles