Shkodra Elektronike, me këngën përfaqësuese “Zjerm”, është votuar fituese e Eurovision 2025, sipas sondazhit më të fundit të organizuar nga portali ndërkombëtar i njohur i fansave, Wiwibloggs.
Sipas informacionit të publikuar nga vetë Wiwibloggs, provat për Eurovision 2025 do të nisin shumë shpejt në qytetin mikpritës Bazel. Brenda dy javëve të ardhshme, do të merren vendime kyçe që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin final të garës, ku garojnë 37 artistë nga vende të ndryshme të Evropës dhe përtej saj.
Përpara këtij momenti të rëndësishëm, Wiwibloggs u ka kërkuar fansave të shprehin mbështetjen e tyre për artistët e preferuar. Në sondazhin e organizuar pas publikimit të këngëve në mars, kanë marrë pjesë 18,951 votues, të cilët kanë zgjedhur këngën e tyre të preferuar për të fituar.
Fituesit e këtij sondazhi janë Shkodra Elektronike nga Shqipëria, me këngën “Zjerm”, që grumbulluan gjithsej 2,106 vota, përkatësisht 11.11% të totalit. Ky rezultat e ngjit Shqipërinë në majën e listës, pavarësisht se në një sondazh paraprak për gjysmëfinalet, grupi u rendit në vendin e dytë.





