Abigeila Voshtina nuk do të jetë më në krye të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Qeveria vendosi për shkarkimin e Abigeila Voshtina nga posti i drejtoreshës.
Voshtina u emërua në këtë detyrë në 2022, pas një konkursi, ndërsa u tha se drejtuesja e re do të kishte një mandat 4-vjeçar. Por në fakt, violinistja e përzgjedhur ka qëndruar pak më shumë se dy vite në këtë detyrë, derisa Këshilli i Ministrave e shkarkoi nga detyra.
Lidhur me këtë vendim së fundmi ka reaguar edhe tenori, Armaldo Kllogjeri i cili nuk nguron të shprehë gëzimin e tij ndaj këtij vendimi. Kllogjeri i cili u shkarkua nga Voshtina pas viteve karrierë në TKOB është shprehur se kush i “bën gropën tjetrit, bie vetë brenda”.
“Karma is a bitch! Besoj e keni marrë vesh që para dy ditëve është shkarkuar nga detyra e drejtorllëkut drejtoresha e TKOB. Zoti vonon, por nuk harron. Duhet ta dini që populli thotë ‘kush ia bën gropën tjetrit, bie vetë brenda.” Shpresoj që me ardhjen në detyrë të drejtuesit të ri të TKOB mua të më hapet drita jeshile dhe të rikthehem në vendin që më takon”, thotë ai.





