Të shkruash për dashurinë është e vështirë, sepse përpiqesh t’i japësh një formë dhe një përshkrim një ndjenje që bazohet mbi përvojën personale. Të përcaktosh se çfarë është dashuria është një sfidë mijëvjeçare, dhe as mendjet më të ndritura nuk kanë mundur t’i japin një përgjigje të prerë. Megjithatë, po mësojmë me siguri se çfarë nuk është dashuria.
Si çdo përvojë tjetër, edhe dashuria mësohet nga gabimet e fatkeqësisht kjo “shkollë” nuk mbaron kurrë dhe ka një çmim të lartë. Le të shohim së bashku çfarë duhet mësuar, cilat gabime duhet të shmangim në 2026 dhe si mund të ndryshojmë për më mirë.
Mëso të jesh mirë me veten para se të jesh me të tjerët
Si të silleni me fëmijët pas karantinës
Ndaloni së kërkuari lumturinë dhe mirëqenien tek partneri. Derisa ta shikoni personin me të cilin jeni si burim të gëzimit tuaj, do të jeni gjithmonë një hap larg varësisë emocionale. Dhe nëse ai ose ajo largohet? Nuk mund të marrë me vete lumturinë tuaj. Ose, në rastin më të keq, nëse partneri nuk është emocionalisht i/e pjekur dhe e kupton varësinë tuaj, mund ta përdorë për përfitim. Ndani lumturinë personale nga ajo në çift.
Thyej rutinën
Nuk mund të gjejmë personin e duhur në të njëjtat vende ku kemi takuar gjithmonë personat e gabuar; nuk mund të gjejmë lumturinë duke bërë të njëjtat gjëra që na kanë bërë të vuajmë. Gjërat që njohim na japin siguri, por kjo vlen edhe për të mirën dhe të keqen.
Të jesh bashkë nuk do të thotë të jesh gjithmonë bashkë
Në vitin 2026 është e drejtë të kuptojmë se hapësira personale është e rëndësishme. Nuk është e nevojshme të bëjmë gjithçka së bashku për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme. Të kesh interesa të ndryshme nuk do të thotë se diçka nuk shkon; thjesht “unë” vazhdon të ekzistojë edhe kur bëhemi “ne”.
Xhelozia “e shëndetshme” nuk ekziston
Kush e përcakton kur një xhelozi është e shëndetshme? Çfarë kufiri ka? Shumë shpesh, xhelozia është vetëm një paralajmërim që nuk duhet injoruar. Nëse ndjejmë xhelozi ndaj dikujt që ka sjellje të dyshimta ose gënjeshtare, kjo duhet të na bëjë të reflektojmë: “A dua të jem me dikë që nuk më thotë të vërtetën?” Nëse xhelozia lind pa asnjë arsye, kjo tregon pasiguri personale, që as partnerët më të kujdesshëm nuk e zgjidhin.
Të jesh vetëm nuk është dështim
Të kesh partner apo të jesh i martuar nuk është një shenjë suksesi. Pika kryesore është një: të jesh mirë. Mund të jesh mirë me veten, mund të jesh mirë me dikë tjetër, por nuk ka asnjë garë.
Filloni të festoni me vetveten
Koha dhe ritmi i jetës po na bëjnë cinikë, por ndalimi për të festuar faktin që “kemi mbijetuar edhe sot” është një ilaç i vogël, që bën shumë mirë.
Mjaft me gjërat materiale
Sigurisht, nëse partneri dëshiron diçka, mund t’i bëjmë një surprizë. Por përqendrohuni te përvojat e përbashkëta, kujtimet që krijohen bashkë. Gjërat thyhen, kujtimet mbeten.
Jo listave dhe llogarive
“Unë pagova këtë”, “Unë bëra atë…” – këto gjëra mund ta kthejnë dashurinë në një llogari ose transaksion. Jepni sepse dëshironi, jo për ta përdorur atë si ‘armë’ ose shantazh.
Mos e humbni kohën e të tjerëve
Koha është e çmuar; respektojeni ashtu siç dëshironi të respektohet e juaja. Nëse një marrëdhënie nuk ju bën të ndiheni të përfshirë, thoni menjëherë “jo”. “Nuk dua një histori me ty”. Sidomos për burrat vlen shumë kjo. Koha e grave për të krijuar familje është e çmuar; mos luani me shpresat e tyre.
Mos përdor njerëzit si opsion
Nuk mund të trajtosh dikë si një opsion të përkohshëm derisa të vijë një mundësi më e mirë. Nëse e bëni këtë, mos u habisni nëse një ditë dikush tjetër vepron po kështu me ju.
Edhe nëse shmangim këto gabime, sigurisht do të bëjmë të tjera. Por mos e lejoni frikën e dështimit t’ju paralizojë: të mos bësh asgjë është më keq. Gabimet lënë plagë, por na bëjnë të rritemi dhe të mësojmë për veten.
Fjala “gabim” rrjedh nga latinishtja “error”, që do të thotë të gabosh, të udhëtosh, të lëvizësh. Në dashuri duhet të guxosh të gabosh, sepse dashuria është të përjetosh. /La Repubblica/




