Moderatorja e njohur, Enxhi Nasufi, ka zbuluar së fundmi projektin e saj të ri, që nuk i përket fushës së televizionit. Ajo ka publikuar në rrjetet sociale një story, ku tregon se bëhet fjalë për një libër, të cilin do ta sjellë në bashkëautorësi me autorin Klajdi Thaçi.
Edhe pse vitet e fundit e kemi parë më së shumti në pozicionin e moderatores, Enxhi e ka nisur rrugëtimin e saj në media si këngëtare. Pak muaj më parë u rikthye në tregun muzikor me këngët “Ku je” dhe “Obsesion”, ndërsa në muajin dhjetor, pritet edhe pjesëmarrja e saj në Festivalin e Këngës, por mesa duket, përpara tij, do të vijë publikimi i librit me titull, “E fshehta e syve të tu”.
Nga sa kuptohet prej postimit në rrjetet sociale, ky roman do të jetë i bazuar në jetën e saj personale, dhe duket, se do të jetë një histori dashurie.
“Isha ndeshur me sy djajsh dhe ëngjëjsh. Sy të zbrazët që nuk rrëfenin asnjë histori, asnjë ndjesi a ndonjë tipar të karakterit. Sytë e mashtruesve, të atyre që mbartnin helm në shpirt. Sy të çiltrish, sy drite, edhe ato i kisha ndeshur. Më duhet të jem e sinqertë e të shtoj se këto të fundit i kam hasur pak më rrallë. Sy të tillë bëhen gjithnjë e më të rrallë…”, shkruhet në një fragment nga libri, publikuar prej vetë Enxhit.
“Sytë e tij nuk do të mund t’i dëshifronte asnjë i huaj. Mistikë, me një trishtim e dhimbje të parrëfyer, brishtësi që ai përpiqej ta fshihte me çdo gjest, por që nuk ia dilte dot kur gjendej përballë saj.
“Ai e kuptoi herët se nuk mund të më fshihej”” shkruan Enxhi në një postim të dytë në rrjete sociale.
Mbetet për t’u zbuluar në vazhdim se cilat do të jenë ngjarjet e tjera brenda romanit dhe nëse bëhet fjalë për një histori dashurie të jetuar nga vetë moderatoja.




