
“Beauty Fair Albania”, panairi më i madh dhe profesional i bukurisë në Shqipëri, do të hapë dyert gjatë datave 5, 6 dhe 7 maj në Pallatin e Kongreseve, duke sjellë për të katërtin vit radhazi një eksperiencë të paharrueshme dhe novatore në fushën e kozmetikës. Ashtu si në edicionet e mëparshme, edhe këtë vit ky panair pritet të bëjë bashkë mjeshtërit e bukurisë dhe profesionistët e fushës për të sjellë te konsumatori final brand-et më të njohura të kozmetikës, duke nisur që nga aksesorët e make up-it te vajrat esencialë dhe locionet për kujdesin e lëkurës dhe flokëve.

I njohur si një event që sjell surpriza në çdo moment për të gjithë pjesëmarrësit, “Beauty Fair Albania” është kujdesur që edhe kësaj here të mos mungojnë ofertat dhe sfilatat e shumta. Por, ajo që e bën të veçantë “shtëpinë” më të madhe të bukurisë në Shqipëri është mundësia unike që të apasionuarit e make up-it, përveçse kanë mundësinë të prekin nga afër produktet e shumëllojshme të ekspozuara, mund edhe të ndërveprojnë me profesiontët e kësaj fushe, të cilët janë në gadishmëri për t’i ndihmuar.

Një tjetër risi e “Beauty Fair Albania” është prania e përfaqësueve të distributorëve ndërkombëtarë që do të ndajnë me të gjithë vizitorët përvojat e aplikimit të një produkti ose shërbime bukurie të fjalës së fundit të teknologjisë.
Ndaj të gjithë ju që ende jeni në mëdyshje ku të kaloni fundjavën e parë të majit, mos u mendoni gjaë: “Beauty Fair Albania” është alternativa më e zgjuar e pranverës për informim, blerje dhe argëtim për të gjithë.




